Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë konferencës për media pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE’së adresoi zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, ku ka thënë se barrikadat e vendosura nga ana e serbëve duhet të largohen dhe ka paralajmëruar një vizitë të emisarit special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak gjatë këtyre ditëve në rajon.
Fillimisht, kryediplomati europian përmendi sulmin e të shtunës me shok-bombë ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX’it në Zveçan dhe sulmet e ”grupeve kriminale serbëve” ndaj Kosovës.
”“Çështja tjetër e radhës është situata e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Incidentet e fundit e konfirmojnë këtë spirale të përkeqësimit në marrëdhënie me pasoja të rënda për popullin e Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë rajonin.
Që nga gushti kemi hyrë në një qark vicioz të provokimeve që ka eskaluar këtyre ditëve të fundit dhe ka nxitur çështje serioze të sigurisë përfshirë një sulm ndaj misionit tonë EULEX dhe ndaj policisë së Kosovës. Barrikadat kanë bllokuar rrugët dhe njerëzit e armatosur po qarkullojnë në rrugë, kjo nuk është një gjë që jemi të gatshëm të pranojmë. Kjo nuk do të jetë e pranueshme dhe nuk do ta pranojmë këtë nga partnerët tanë dhe njerëz që aspirojnë për një të ardhme europiane,” ka thënë ai.
Ai theksoi se gjatë mbledhjes ju ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Ministrave që të dërgohen përforcime për EULEX dhe siç tha Borrell shumica prej tyre janë pajtuar për këtë çështje.
”Kjo situatë duhet të marrë fund barrikadat duhet të hiqen, qetësia duhet të kthehet. Këshilli ju bën me dije të qartë të dyja palëve që të përmbahen nga çdo akt provokues apo të dhunshëm. Unë ju kam kërkuar anëtarëve të Këshillit që të jenë të gatshëm që të dërgojnë përforcime për misionin tonë EULEX dhe shumë prej tyre janë pajtuar që të rriten kapacitetet e këtij misioni dhe një mbështetje më efektive për ata nëse është e nevojshme,” tha ai.
Borrell kërkoi si nga pala kosovare ashtu edhe nga ajo serbe që të kthehen ”te dialogu i lehtësuar nga BE’ja” dhe vlerësoi faktin se ”kanë dhënë indikacione se janë të gatshëm për de-eskalim të situatës”.
”E di që të dyja palët kanë dhënë indikacione se janë të gatshëm për de-eskalim të situatës dhe shpresoj se do ta bëjnë dhe gjithashtu shpresoj që nuk do të nisin eskalimin përsëri. Ata duhet të kthehen te dialogu i lehtësuar nga BE’ja. Po e përsëris një detyrë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB’së për BE’në dhe unë si lehtësues i këtij dialogu kjo është esenciale si për Serbinë dhe për Kosovën në rrugëtimin e tyre europian,” tha ai.
Tutje, kryediplomati europian tha se pas marrëveshjes së fundit për targat ka menduar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndaleshin, derisa foli edhe rreth propozimit franko-gjerman.
”Ne që nga incidentet e fundit të verës kemi dorëzuar një propozim para të dy liderëve dhe ne e kemi përditësuar këtë propozim javëve të fundit dhe pas marrëveshjes së fundit që ishte menduar se do të ishte definitive dhe do të linte prapa tensionet të ndërlidhura me targat dhe çështjet e tjera në komunat serbe në veri të Kosovës.”
”Ne e ofruam këtë propozim dhe tani duhet ta çojmë përpara si çështje urgjente. Unë ju kam ofruar ministrave kornizën e propozimit dhe jam i gëzuar të iu informoj për mbështetjen e fuqishme që e pranova nga ministrat për këtë nismë që është një detyrim i dhënë nga OKB’ja, por tash është një propozim nga 27 shtetet e BE’së, nuk është propozimi i vetëm i imi, por është propozim i 27’së së BE’së “’potencoi ai.
Tutje kryediplomati evropian Josep Borrell njoftoi se ky propozim do të ketë shqyrtim në Komitetit të Politikës dhe Sigurisë të Komisionit Evropian këtë të martë, tani si një propozim i bllokut evropian.
“Dhe duke u angazhuar për këtë situatë urgjente dhe të rrezikshme në terren unë i kam kërkuar përfaqësuesit tanë special të BE’së të udhëtojë në rajon. Nesër do të ketë një raportim para Komitetit për Politikë dhe Siguri, një analizë e thellë e propozimit dhe një ditë më pas, Miroslav Lajcak, do të udhëtojë në rajon, ashtu që të ketë mundësi të kthehet para mbledhjes së Këshillit Evropian ku unë do të vlerësoj dhe do të informoj liderët për situatën në Kosovë”.
Kujtojmë se situata në komunat veriore të Kosovës kohëve të fundit është tensionuar mjaft shumë, pasi disa serbë lokalë atje kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokua rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-policin, Dejan Pantic, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër KQZ’së në veri të Kosovës, ndërsa sot u bë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Pantic.
Në anën tjetër, është konfirmuar nga policia e Kosovës se ditëve të fundit kanë shkëmbyer zjarr me ”grupet kriminale serbe” dhe janë sulmuar me shok-bomba.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic ka thënë se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.