Veriu ende nën barrikada, KFOR-i kërkon shmangie të përshkallëzimit të situatës dhe zgjidhje paqësore të situatës

Veriu ende është pika kyçe e tensioneve të të cilat nxiten dhe shkaktohen nga grupet kriminale serbe në Kosovë.

Kjo situatë po vazhdon të mbretërojë prej disa muajsh, ndërsa edhe më e rëndë situata është prej 12 ditësh.

Saktësisht 12 ditë më parë, serbë të shumtë kanë vendosur disa kamionë në shenjë barrikadash, e të cilat ende nuk janë larguar.

Nëntë barrikada po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, e të cilat kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në këtë anë.

E si pasojë e kësaj, edhe shumë zyrtarë policorë të Kosovës kanë mbetur të bllokuar për shumë ditë në këto pika kufitare pa pasur mundësinë të bëjnë ndërrimin e tyre e shpesh herë edhe të furnizohen me gjërat elementare.

Lidhur me situatën e krijuar si dhe me paralajmërimet e fundit të bëra nga serbët në veri, por edhe ata në Serbi, ka kontaktuar me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

Me këtë rast nga KFOR-i është theksuar se kanë shtuar praninë e tyre në Jarinjë, e gjithë kjo për arsye parandaluese të eskalimi të situatës dhe shtimit të sigurisë.

“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës si dhe të Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Serbisë”,thuhet në përgjigjen e KFOR-it për situatën e krijuar.

Përpos kësaj nga ky mision paqeruajtës u tha se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon.

“Ne presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”,u tha tutje nga KFOR-i.

Gjithashtu u theksua se nxisin të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive, që të mundësojnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë”,u tha tutje.

Sipas të njëjtëve, në kuadër të zhvillimeve në veri “Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”.

E një gjë të tillë e kanë deklaruar vazhdimisht edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, por edhe të shteteve të tjera mike të Kosovës.

Nga Kosova dhe Serbia është kërkuar vazhdimisht që secilën situatë të krijuar, apo edhe eskalim të mundshëm të situatës e deri tek çështjet me të rëndësishme ta zgjidhin përmes dialogut.

Në kuadër të kësaj, nga Serbia vazhdimisht ka pasur deklarime se barrikadat nuk do të largohen deri në “lirimin e serbëve të arrestuar nga autoritetet kosovare”. Ndryshe i arrestuar është një ish-polic serb i Kosovës, që dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga institucionet e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë bërë thirrje nga serbët që të largojnë këto barrikada dhe të mundësojnë jetesën e sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”,ka thënë ndër të tjerash së fundi ministri Sveçla.

Madje kryeministri Kurti deklaroi se janë në pritje të KFOR-it nëse do të mundësojnë tërheqjen e këtyre barrikadave.

Kurti është pajtuar që t’u jep kohë trupave të KFOR-it, për t’i bindur barrikaduesit të tërhiqen, dhe se, në të kundërtën, barrikadat nuk mund të lejohen të qëndrojnë shumë gjatë.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që të vazhdojë në pafundësi. Prandaj, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, tha kryeministri Kurti për “The Guradian”.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë kanë vendosur këto barrikada, duke bllokuar kështu rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, si Jarinjë dhe Bërnjak.

Duke shkuar edhe më tej, më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1 mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë “argumentuar” se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet. Tutje nga Beogradi thanë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244.

Gjatë ditës së djeshme, nëntë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga pika kufitare në Jarinjë.

Tërheqjen e këtyre policëve që kishin mbetur të bllokuar prej shumë ditësh, e ka mundësuar KFOR-i.

Në kuadër të gjithë kësaj situate të krijuar, serbët nuk kanë ndaluar me provokime dhe paralajmërime të reja.

Këta të fundit kanë paralajmëruar edhe një protestë për ditën e nesërme.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe publike ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër kryqit, ku populli ynë i përbërë nga mjekët tanë, profesorët, mësuesit, minatorët, të afërmit, fqinjët, nënat, motrat tona të mblidhen së bashku për të dërguar një mesazh të qartë të përbashkët se ne nuk pajtohemi me persekutim dhe vrasje dhe se veriu i Kosovës nuk është as Gjermania dhe as fundi i Kurtit, por vendi ku jetojmë dhe ku duam të qëndrojmë e të mbijetojmë”, thuhet në njoftimin e një grupi të ashtuquajtur “Shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”.