Situata në veri, Krasniqi takohet me ambasadorin amerikan

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi tregon se theks i veçantë i takimit ishte gjendja e sigurisë në veri të vendit.

“Sot, prita në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Jeffrey Hovenier. Në këtë takim diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, më theks të veçantë gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të vendit dhe procesin zgjedhor në katër komunat atje.”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje, Krasniqi thekson se ka njoftuar Hovenier edhe për qëndrimin e PDK-së rreth këtij procesi.

“Ambasadorin Hovenier e informova për qëndrimin e PDK-së rreth këtij procesi. Ne i jemi përgjigjur Dekretit të Presidentes për këtë proces zgjedhor dhe në respektim të afateve dhe ligjeve kemi propozuar kandidatët tanë për kryetarë dhe asamblistë në katër komunat në veri.”, ka theksuar ai.

Deputeti Krasniqi është shprehur se presin nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës që të sigurojnë kushtet e favorshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor./Lajmi.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here