‘Prishtina u zotua në Bruksel dhe herën e fundit për themelimin e Asociacionit’, Petkovic ironizon: Kurti e ka mirë vetëm në një deklaratë

Sipas deklaratave të të dy palëve, Kosovë e Serbi, s’ka pajtueshmëri as për ujdinë e fundit në Bruksel që zbuti ca tensionet në ‘krizën e targave’.

Kryeministri Albin Kurti këmbëngul se të gjitha do të negociohen në kornizën e planit franko-gjerman, ndërsa Serbia se vetëm njëri kusht për shmangien e krizës është plotësuar, s’ka gjobitje për targat KM dhe këmbëngulin për ‘zajednica’ që ende s’është formuar derisa Veriu mbetet në ajër dhe në krizë institucionale.

Petar Petkovic, drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’ pranë qeverisë serbe që ka reaguar me një komunikatë të kësaj zyre pas seancës së Kuvendit të Kosovës dhe deklaratave të kryeministrit Albin Kurti. Sipas Petkovic kryeministri Kurti paska zbuluar në paraqitjen e tij të fundit se me të vërtetë nuk e ka prioritet dialogun në Bruksel dhe sipas tij qenka i interesuar vetëm për trazira jo vetëm në Veriun e Kosovës, por gjithë Ballkanin Perëndimor sipas kësaj komunikate dramatike si zakonisht nga Petkovic.

 

“Për të gjithë botën është e qartë kristal se në vend të bisedimeve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, Kurti synon konflikt dhe trazire, pasi kjo është e vetmja politikë e tij” shkruhet në komunikatën e Petkovic.

 

Shefi i ekipit teknik negociator serb vazhdoi tutje se padyshim kjo qenka tani prioriteti numër një duke ironizuar me prioritetet qeverisëse të kryeministrit Kurti dhe se lart në listën e prioriteteve të tij qenkan ‘keqtrajtimi dhe heqja e të drejtave të serbe, të të drejtave bazike njerëzore dhe qytetare, si dhe shkelja brutale e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel’. Ai përsëriti qëndrimin e Serbisë se kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet parakusht për ta edhe nëse për qeverinë e Kosovës nuk qenka duke shtuar se për këtë janë zotuar Kosova edhe para një jave.

“Marrëveshja e Brukselit nuk është një ‘tavolinë suedeze’ nga e cila Kurti mund të zgjedhë atë që i konvenon, por është e domosdoshme që marrëveshjet e nënshkruara të respektohet, e pikërisht Asociacioni i komunave serbe është vet themeli i Marrëveshjes së Brukselit. Për këtë është zotuar Prishtina edhe në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel, duke pranuar se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen” ka thënë Petkovic sipas komunikatës së zyrës që kryeson.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ka ngelur si kërkesë e BE’së dhe e Serbisë dhe i pranuar si i kuptuar nga të dy palët, sipas ‘dakordimit apo zotimeve’ të ujdisë së fundit në Bruksel që e arritën vetëm ndalimin e telasheve me targa që sollën në krizë institucionalle. Në komunikatën e të mërkurës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte theksuar se palët kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në procesin e dialogut duhet të zbatohen.

 

Nuk ishte përmendur as si do të kthehen në institucionet kosovare zyrtarët serbë që dhanë dorëheqje, megjithëse për këtë kishte insistuar nga Borrell në komunikatat e mëparshme. Është theksuar vetëm se detajet do të diskutohen në takimet e radhës.

Pala serbe, nga presidenti serb Aleksandar Vucic e vartësit e tjerë këmbëngul në Asociacionin si kusht për t’u kthyer në institucione kosovare serbët lokalë dhe për të vazhduar dialogun.

 

Kryeministri Albin Kurti e ka sqaruar disa herë se Asociacioni nuk është parakusht për vazhdimin e dialogun më tej me Serbinë.

Ai në Kuvend të mërkurën renditi pozitivet sipas tij të ujdisë, s’ka shtyrje prej 10 muajsh të çështjes por vetëm 48 orësh- e çuditshme kjo pasi ra poshtë gjithë diskutimi i shtrirjes së rendit dhe ligjit dhe targat serbe KM mbeten. Tjetra pozitive qenka se tani diskutohet plani franko-gjerman si kornizë e dialogut në Bruksel që nuk ishte mohuar më parë por nuk ishte në komunikatën e parë të Borrell siç ankohej kryeministri pas dështimit të bisedimeve të të hënës së javës të kaluar kur ai ishte përcaktuar si fajtori i dështimit.

 

Tash që qenka në komunikatën e Borrell të BE’së, propozimi franko-gjerman nuk e përjashton Asociacionin për të dyja palët, por e lë ndaras si çështje e kryer që duhet zbatuar me kuptimin e të dyja palëve. Serbia e ka si kusht për të vazhduar tutje, Kosova nuk e sheh si parakusht. BE’ja s’është deklaruar ende pas ujdisë përveç me fjalinë e zëdhënësit të BE’së Peter Stano se janë ‘palët që duhet të gjejnë kurajën për të arritur në kompromis’ dhe se s’ka afat kohor nga BE’ja për bisedimet

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here