Policia e Kosovës ka dhënë detajet e fundit mbi gjendjen në veri, atje ku po vazhdojnë të jenë të ngritura barrikadat e serbëve, gjë që ka bërë që dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak të jenë të mbyllura.
Me anë të një komunikate për media, Policia ka thënë se aktet kriminale, përfshirë vendosjen e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cënuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve por që sipas saj s’kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës.
“Po ashtu në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në komunikatë.
Policia po ashtu ka demantuar raportimet e mediave serbe se të dyshuarit Dejan Pantiq, ish-polic i arrestuar për hedhjen e shok-bomave, nuk i janë dhënë barnat mjekësore.
“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar
Komunikata e plotë e Policisë:
Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të vazhdueshëm dhe të drejtë të opinionin publik, njofton se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.
Po ashtu në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime.
Andaj, spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar (D.P.), njofton dhe sqaron se:
I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar.
Duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit.
Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime.