Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, ashtu si zakonisht edhe një herë tjetër ka luajtur rolin e viktimës. Ai tani i është drejtuar Europës me disa pyetje duke i ‘treguar’ se kinse pala kosovare është provokatorja në zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.
Ai ka pretenduar se serbët në barrikada ”po luftojnë thjeshtë për mbijetesë” ndërsa kryeministri, Albin Kurti me dërgimin e njësiteve speciale po ‘synon’ përshkallëzimin e situatës.
Tutje, Petkovic thotë se prania e njësiteve speciale është shkelje e marrëveshjeve të mëhershme.
”Sipas cilës pikë të ndonjë marrëveshjeje po qëndrojnë forcat speciale të Kurtit në veri të Kosovës? Nuk kanë çfarë të kërkojnë atje dhe prania e tyre është shkelje e qartë e marrëveshjes!”, shkroi ai.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic ka thënë se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.