‘Pa ardhur dikush ne nuk lëvizim’: Policët e Kosovës tani 11 ditë të bllokuar në Leposaviq

Tashmë janë 11 ditë që njësitet policore të Kosovës kanë ngelur në pikat në Jarinjë dhe në komunën e Leposaviqit. Me gjithë këtë morali është i lartë në mesin e tyre dhe janë të furnizuar mirë për momentin.

Për shkak të barrikadave të vendosura nga qytetarët serbë në Veri, qarkullimi i lirë pamundësohet në atë rajon të Kosovës.

Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për heqjen e kamionëve e makinerive të rënda, kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, për gazetën Express ka thënë se brenda një “kohe të shkurtër” do të bëhet ndërrimi i tyre, derisa kritikoi edhe KFOR’in.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i ka thënë për Express, se policët që ndodhen atje kanë ushqim, ujë të pijshëm e derivate të mjaftueshme.

“Ky është shqetësimi jonë. Ambienti ku janë ata nuk është me kushte normale, kanë ushqim të mjaftueshëm, ushqim i konservuar dhe ujë të pijshëm. Ata kanë edhe derivate,  por pengesa është që nuk është bërë ndërrimi i policëve. Kjo është shkelje e rëndë që po vjen shkaku i barrikadave. Shqetësimi ynë është hezitimi i KFOR-it për asistencë, nuk po e kuptoj pse po ndodh kjo.

Situata të tilla kemi pasë edhe më herët dhe na kanë asistuar që të bëjmë ndërrimin e policëve”, u shpreh Zeqiri.

Zeqiri tha për Express se janë duke u shqyrtuar mundësitë që të zëvendësohen policët kosovarë mirëpo nuk dha ndonjë afat të caktuar kohor shkruan Express.

“Janë duke u shqyrtuar mundësitë që brenda një kohe të shkurtë, brenda disa ditësh, do të bëhet ndërrimi i policëve dhe do të normalizohet puna e Policisë së Kosovës”.

 

Zeqiri tutje u shpreh se janë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët policor në Veri dhe se morali i tyre është i paepur.

“Kur po flas me ta, ata po thonë që pa ardhë dikush ne nuk lëvizim, pra kanë një vullnet dhe moral jashtëzakonisht të lartë dhe i kanë të gjitha pajisjet që iu nevojiten për të kryer punën”.

 

Ai bëri të ditur se kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të asistojnë në procesin e ndërrimit të policëve, pa dhënë më shumë detaje.

“Është penguar puna e policisë dhe liria e lëvizjes për qytetarët. U kemi bërë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare që të na asistojnë që të zhbllokohen punët para se të ndodh kriza humanitare”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here