Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se pesëshja e Bashkimit Europian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës sipas tij ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin.
Dacic pretendon se është politikë e tyre e brendshme mosnjohja e Republikës së Kosovës, teksa shton se edhe nëse Serbia do ta njeh pavarësinë e Kosovës ”gjë që natyrisht nuk do të ndodh” disa prej tyre do të mbajnë qëndrimin e deritashëm.
”Ne e dimë shumë mirë se ata pesë anëtarë të BE-së janë nën presion të madh dhe kanë qenë për një kohë të gjatë. Por duke qenë se jemi duke biseduar vazhdimisht me ta, edhe ne e dimë shumë mirë që qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar.
Secili prej atyre vendeve ka arsyet e veta të brendshme pse nuk e njeh Kosovën, nuk është çështje e kërkesës sonë apo presionit të dikujt.”
”Madje, disa prej tyre thonë se nuk do ta njohin Kosovën, edhe nëse Serbia e njeh, gjë që natyrisht nuk do të ndodh. Në çdo rast falënderojmë Spanjën dhe Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron për një politikë të tillë, sepse është një marrëdhënie parimore dhe miqësore ndaj Serbisë, por në radhë të parë është çështje e tyre e brendshme,” ka thënë ai për mediumin serb ‘Blic’.
Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar muaj më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës duke folur për propozimin franko-gjerman ishte pyetur nëse propozimi aktual lidhet me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE’së.
Ai gjithashtu i kishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun me Serbinë.
”Absolutisht, qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur, ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes. Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi,” kishte thënë Escobar.