Mediumi në gjuhën serbe ‘Kosovo Online’, ka raportuar se pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë vendosur në urën e Bistricës.
Sipas këtij mediumi serb njësitet Speciale të njohura si ROSU, të PK, janë vendosur në urën e Bistricës në rrugën magjistrale që qon nga Mitrovica e Veriut drejt Leposaviqit, shkruan mediumi serb Kosovo Online.
Njësiti Special ka arritur në këtë pikë me 5 autoblinda, serbët lokalë frikësohen se këtu do të mund të vendosej ndonjë pikë kontrolli ose ndoshta kjo është një paralajmërim për largimin e barrikadave.
Ura e Bistricës gjendet në rrugën magjistrale Mitrovicë Rashk, jo shumë larg nga kthesa për Banjska në drejtim të Leposaviqit dhe kufirit në Jarinje.
Barrikadat në rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë për të dytën javë me radhë dhe nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen ato.
Ndërkaq kujtojmë që pretendimet të tilla të Kosovo Online, ka pasur edhe ditëve të kaluara por që janë demantuar nga Policia e Kosovës.