Home Lajem Ky është i dyshuari që sulmoi seksualisht nxënësen e shkollës ekonomike në...

Ky është i dyshuari që sulmoi seksualisht nxënësen e shkollës ekonomike në Ferizaj, ndalohet për 48 orë

Është raportuar sot për një rast të sulmit seksual që dyshohet se ka ndodhur në një shkollë të Ferizajt, ku viktimë edhe kësaj radhe është një 16-vjeçare. Personi që dyshohet se e sulmoi seksualisht të miturën është arrestuar dhe tashmë ndodhet në ndalim policor. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në oborrin e shkollës së mesme ekonomike ‘Faik Konica’.

Kush është i dyshuari për këtë rast?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i riu që ra në prangat e Policisë është Eridon Jetishi, 22-vjeçar, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendim që të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe më pas të merren veprimet e nevojshme hetimore.

Por si ndodhi rast dhe cilat janë detajet?

Sipas informacioneve të para, i dyshuari i kishte kërkuar viktimës që të takoheshin te salla e sportit dhe posa ajo kishte arritur aty, 22-vjeçari e kishte sulmuar seksualisht duke bërë që e mitura të tentojë që të largohet nga aty.

Por kjo e kishte revoltuar të riun, i cili dyshohet se më pas e ka sulmuar fizikisht viktimën duke e goditur me shuplakë. Përballë kësaj situate, e mitura ka njoftuar kujdestarin e klasës dhe drejtorin e shkollës për atë që ka ndodhur dhe të njëjtit kanë marrë masa duke denoncuar rastin në Polici.

16-vjeçarja është intervistuar në stacion policor në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ku para hetuesve ka bërë me dije se me të dyshuarin është njoftuar në muajin qershor dhe gjatë bisedës me të ka dërguar fotografi të saj intime.

Bazuar në dëshminë e viktimës, kjo është bërë shkak që i dyshuari ta kërcënojë dhe me anë të shantazhit ta mbajë afër vetes të miturën, të cilën e ka paralajmëruar se në rast se shkëput kontaktin dhe nuk del me të, do ia publikojë fotografitë që cenojnë privatësinë e saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here