Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një rast të frikshëm që ka ndodhur në një familje në Skenderaj, ku një burrë e ka paralajmëruar ish-bashkëshorten e tij, me të cilën është në prag të divorcit, se rasti mes tyre do të përfundojë me vrasje, nëse nuk i rregullojnë raportet. E keqja që iu është kanosur gruas e ka shqetësuar në masë të madhe, pasi ish-burri i saj e shqetëson vazhdimisht, edhe pse ka urdhër mbrojtës.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me disa se personi që po dyshohet për këtë rast është A.Gashi, i cili u denoncua nga ish-gruaja në Polici, pasi nuk po e respekton urdhrin mbrojtës të Gjykatës, për të mos iu afruar viktimës.
Ai dyshohet se e përcjellë atë në vazhdimësi në qytet, ku në një rast ka tentuar edhe ta godas me veturë. Për të mos mbaruar me kaq, Sinjali mëson se i dyshuari e ka kërcënuar viktimën përmes rrjeteve sociale, derisa para dy ditësh ia ka dërguar një person te shtëpia, gjoja se për t’i rregulluar raportin mes tyre. Ajo çka e bën të frikshëm këtë rast është se i dyshuari ka paralajmëruar se dikush do ta pësojë, e madje edhe me vrasje, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë.
Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku ka kërkuar mbrojtje pasi ka frikë se mund të ndodhë diçka e keqe.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili para hetuesve policorë ka dhënë një deklaratë për rastin dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.