Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, e cila kohëve të fundit po mbron zëshëm subjektin politik që po përfaqëson, i është përkujtuar një deklaratë e dhënë më 2017-ën për figurën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Në deklaratën e përkujtuar nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, Kusari më 2017-ën e quan ish-preisdentin Thaçi si personalitet historik, ndërsa për kryeministrin Kurti thotë se është surrealist.
“Z. Thaçi e ka një karakteristikë që me bashkëpunëtorë sillet me formën shumë kulturume dhe, unë personalisht, nuk kom pasë ndonjë përvojë të keqe me të.
Do të njihet për rolin e tij në UÇK, natyrisht për angazhimin në shpalljen e vendit të pavarur. Dihet dhe do të mësohet në histori kush e lexoi deklaratën e Pavarësisë”, deklaronte ajo për Thaçin.
Shefja e GP-së së LVV-së ka ngjallur reagime pasi në njoftimin për vizitën e saj tek ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, përmend vetëm Rexhep Selimin, teksa Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Salih Mustafës, i referohet si “të tjerët”.
Deputetja e PDK-së në Kuvend, Eliza Hoxha e ka quajtur Kusarin “shpirt-ngushtë”, duke ia përkujtuar po ashtu edhe të kaluarën politike të saj.
Kusari-Lila ka histori të bujshme politike, e cila ka provuar gati se të gjitha partitë ekzistuese në vend.