Plani franko-gjerman është hap në drejtimin e duhur, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili deklaroi se nuk e ka refuzuar një propozim të tillë veçse ka thënë se i ka adresuar vërejtjet e tij.
Shefi i ekzekutivit tha se është Serbia ajo që e ka refuzuar këtë plan dhe sipas tij tani po bën drama për të cilat tha se nuk duhet të shndërrohen në tragjedi.
“Ata (Serbia) e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi, për ta maskuar refuzimin.
Ajo çfarë ne kemi thënë është që në kuadër të propozimit, le të vazhdojmë ta quajmë franko-gjerman por ai ka mbështetjen edhe të Brukselit edhe të Uashingtonit, ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse aty konceptet, nocionet që përdoren janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin përbrenda,
le ta quajmë ideologjisë së zgjidhjes së problemeve, ku thuhej se Kosova e ka këtë problem shumë të veçantë në veri të Mitrovicës ose në katër komunat në veri ose në Graçanicë dhe do t’ ia bëjmë një zgjidhje super të veçantë, komandanti i policisë duhet të jetë kështu, nënkomandanti ashtu, prokuroi asisoj e gjykatësi kësisoj, tash nuk jemi te ajo, tash jemi te vlerat dhe unë e kam vlerësuat këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”, tha Kurti.
Kurti tha se deri më 18 të këtij viti nuk ka pasur dialog për marrëveshje por për dakordime të vogla.
“Deri më datën 18 gusht(2022) nuk kemi pasur dialog për marrëveshje, kemi pasur dialog për proces, të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, nganjëherë edhe dialog për dialog, mirëpo me 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale. Dhe më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj pas këtij takimi patën ardh në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltarët e lartë të kancelarit Shcolz dhe presidentit Macron, bashkë me ndërmjetësin e njohur tashmë Lajcak. Pra, ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mija, ua kam thënë edhe atyre vërejtjet e mija dhe kritikat e mija, mirëpo unë nuk e kam kundërshtuar atë propozim”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti nuk është ndalur te përgjigjet për çështjen e Asociacionit, temë për të cilën ka thënë se ka treguar qëndrimin e tij që prej vitit 2013.
Lidhur me vendimin për targat, Kurti tha se asnjë veprim i qeverisë nuk ka qenë befasi për zyrtarët amerikanë apo evropianë duke shtuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me ta.
“A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën, nuk ndodhin këto gjëra, kuptoni nuk i kemi kështu raportet me shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin, unë nuk e di kush po ua lexon sepse nuk besoj që e keni lexuar vet dhe po mendoni kështu. Edhe njëherë, asnjë veprim i yni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian, ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me ta. Shtetet e Bashkuara i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë aso komunikatash çfarë i cituat ju, nuk ekziston raporti i tillë i ynë, për besë kjo mënyra, është edhe ofendim për shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse janë vend demokratik. Aleanca jonë me ta është aleancë që bazohet mbi vlera dhe qëllime dhe interesa të përbashkëta”, tha Kurti.
I pyetur për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se ka nëntë vite që kthen të njëjtën përgjigje.
“Pse po besoni që është pyetje e re kjo. Që nëntë vjet përgjigjem për Asocacionin unë , prej 2013. Unë nuk kam gjëra të reja në përgjigjen time për pyetje të vjetra”, tha Kurti.