Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKEE, janë deklaruar pas takimit që patën sot.
Kurti tha se në këtë takim kanë diskutuar për projektet e USAID-it, të cilat po gëzojnë zbatim në Kosovë, si dhe për mundësitë e reja.
Kurti tha se USAID deri sot e ka ndihmuar Kosovën me mbi 1 miliard dollarë.
“Ndihma e USAID për Kosovën deri sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë si shtet dhe secilin sektor”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.
Ai shtoi se “për secilin dollar ne jemi mirënjohës si popull, si vend dhe si institucione”.
Kurti gjithashtu tha se përmirësimi dhe zhvillimi i Kosovës janë dëshmi e partneritetit të fuqishëm të vendit me ShBA-në.
“Rritja, përmirësimi dhe zhvillimi janë dëshmi për partneritet të fuqishëm me miqtë tanë, por janë edhe ftesë për më shumë bashkëpunim. Me ShBA-në ndajmë vlera, orientime dhe vlera të përbashkëta. Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, demokraci, drejtësi”, ka shtuar ai.
Kurti kërkoi edhe zgjerimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe USAID-it.