Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano ka thënë se tashmë i kanë ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vucic për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.
Ai nuk e ka bërë të ditur datën e saktë, por ka thënë se për këtë do të njoftojnë me kohë.
“Në disa raste kemi thënë se do të ketë takime në nivel të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic. Përfaqësuesi i lartë tashmë i ka ftuar ata që të vijnë në Bruksel dhe ne do të japin datën në kohën e duhur”, tha ai në konferencën e sotme për media.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, zbuloi se të dyja palëve i është dërguar një version i ri i propozimit të BE-së, i ashtuquajturi plani franko-gjerman.
Kryeministri Kurti pas arritjes së marrëveshjes për targa pati deklaruar se ai në Bruksel shkon për t’u takuar me presidentin serb vetëm për marrëveshje përfundimtare.