Krasniqi: Vjosa Osmani ‘me dy këmbët’ shkeli Kushtetutën, ajo nuk ka kompetencë t`i shtyjë zgjedhjet e shpallura

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zyrtarisht ka shtyrë zgjedhjet, të cilat ishin planifikuar të mbahen me 18 dhjetor në katër komunat veriore të Kosovës.

Ky vendim i presidencës ka ngjallur reagime të shumta, nëse e para e vendit shkeli ‘me dy këmbët’ ligjet në fuqi apo edhe organin më të lartë juridik në vend – Kushtetutën.

Partitë opozitare ende nuk kanë ndonjë qëndrim nëse do të deponojnë në Kushtetuese vendimin e presidentes, por që janë në fazën fillestare të ‘konsultimeve’.

E, dikush që njeh fortë mirë procedurat ligjore e kushtetuese, po vlerëson se presidentja e vendit Vjosa Osmani bëri shkelje të rëndë ligjore me rastin e shtyrjes dhe shpalljes së datës së re për zgjedhjet në Veri.

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka thënë se shtyrja e datës së mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës dhe për anëtarë të dy kuvendeve komunale, ka qenë e arsyeshme.

Sipas tij, në këto komuna nuk ka qenë e mundur të ofrohet siguri as për katër Komisione Komunale të Zgjedhjeve, e lëre më të bëhet për rreth 80 qendra të votimit, votuesit dhe kandidatët e përfshirë në garë.

Por ai ka ‘skanuar’ shkeljet ligjore që i ka bërë Vjosa Osmani.

“Përkundër kësaj, është dashur të ndjekjen rrugët ligjore për të bërë shtyrjen e zgjedhjeve. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura, përkundër që e ka të drejtën e shpalljes së tyre. Edhe baza ligjore në të cilën është thirrur Presidentja në vendimin e saj, përcakton vetëm kompetencat për shpalljen e zgjedhjeve dhe assesi të shtyrjes së tyre”, thotë Krasniqi për Blic.

Sipas tij, Ligji për Zgjedhjet Lokale ka përcaktuar afate të qarta brenda të cilave duhet të mbahen zgjedhjet.

Krasniqi vlerëson, mënyra e vetme për të shtyrë datën e zgjedhjeve ka qenë përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këto katër komuna, pasi është duke u sfiduar rendi kushtetues dhe siguria publike.

“Në këtë rast, do të krijohej mundësia që të pezullohet e drejta për të zgjedh dhe për të zgjedhur, e garantuar në Kushtetutë. Si opsion i dytë, ka qenë krijimi i një baze të përkohshme ligjore, që do t’i mundësonte Presidentes të shtyjë datën në bazë të rrethanave të përcaktuara ligjore. Kjo ka mundur të bëhet lehtë meqenëse ka pasur konsensus politik për shtyrje të zgjedhjeve”, thotë ai.

Krasniqi thotë se demokracia është procedurë, dhe procedurat duhet të ndiqen e institucionet duhet të respektohen, pavarësisht rrethanave.

Ky pjesëtar i shoqërisë civile thotë se mënyra sesi është vepruar, përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, përbënë edhe precedent të rrezikshëm për abuzim në të ardhmen.

“Një raport i institucioneve të sigurisë apo atyre shëndetësore – sikurse që ishte rasti në përpjekjen për të shtyrë zgjedhjet lokale në kohën e pandemisë – mund të sigurohet lehtë, sa herë që partitë në pushtet nuk qëndrojnë mirë në sondazhe dhe shtyjnë zgjedhjet”, thotë Krasniqi.
Ai ka treguar edhe rrugën se si Osmani mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Kontestimi i vendimit të Presidentes në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet nga 30 deputetë, pasi janë cenuar të drejta zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, si dhe funksionaliteti i institucioneve të qeverisjes lokale. Presidentja mund t’i shpëtoj kësaj vetëm nëse partitë politike pranojnë që të tolerojnë këtë shkelje në heshtje për shkak të rrethanave dhe kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për të shtyrë zgjedhjet”, thotë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here