Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë në pjesën veriore të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se atje po krijohet një normalitet i ri si pasojë e mosreagimit nga ana e Qeverisë.
“Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë.
Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, këmbana po bie. Fuqishëm. Zëshëm”, ka thënë ai.
Në fund Krasniqi ka kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë.
“Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!”, tha në fund ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën se në natën e mbrëmshme është vendosur një barrikadë e re në veri të Kosovës.
Sipas raportit policor, barrikada e re është vendosur “në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan”.
Ndërkaq tash e tetë ditë barrikadat janë vendosur nga serbët në Veri.