Kërcënon Lista Srpksa: Nëse njësitë e Kurtit heqin barrikadat, do ta marrin përgjigjen e popullit serb

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se mbrëmë e ka kaluar darkën së bashku me zyrtarët policorë në Bërnjak, në veri të vendit. Ai tha se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për largimin e barrikadave dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.

Kësaj deklarate i është përgjigjur menjëherë Lista Srpksa, e cila shkuarjen e Sveçlës në Bërnjak e pa si “provokim tjetër të Albin Kurtit me qëllim përshkallëzimin e situatës në terren”.

“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona.

Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, thotë kjo parti, raporton Kossev, transmeton Gazeta Express.

Më pas, në këtë deklaratë, Lista Serbe, duke pretenduar se dëshiron paqen, kërcënon se nëse Policia e Kosovës tenton t’i largojë barrikadat e vendosura, “do ta marrë përgjigjen nga populli serb”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmi nga Prishtina, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në Listën Serbe.

Pak më parë, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës është vendosur një barrikadë e re në veri, saktësisht në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here