Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thurur një varg kritikash për presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, pas shtyrjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e vendit.
Hoti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka përkujtuar kritikat e Osmanit ndaj tij në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen e arritur në Washington me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Administrata Trump.
“U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin”, ka deklaruar Hoti.
“Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”, vijon deklarimi i deputetit të LDK-së.
“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”.
Në fund, Hoti e ka quajtur Qeverinë Kurti si “hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”.