Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do të vendosë nëse do të shkojë në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Për propozimet për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovws, të cilat do t’i prezantohen Serbisë, ai thotë se duhet të presim dhe të shohim.
“Çdo marrëveshje që nuk e përfshin Kosovën si shtet të pavarur dhe njohjen e saj, pra anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, është temë e mirë dhe bazë për diskutime të mëtejshme.
Prandaj, ne jemi larg një propozimi përfundimtar, por Serbia ka thënë qartë se cilat janë linjat tona të kuqe. Por ne jemi të gatshëm të bisedojmë, është e rëndësishme të marrim pjesë në bisedë”, tha ai, raportojnë mediet në serbi.
Përkundër deklarimeve të diplomacisë serbe për mos-njohje të Kosovës, diplomacia amerikane dhe ajo evropiane në vazhdimësi kanë kërkuar që marrëveshja të përfundojë me njohje reciproke në qendër.
Vuçiq deklaroi se është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të vendimit për të mos udhëtuar në Tiranë, në Samitin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Nenad Rashiq si Ministër për Komunitete dhe Kthim në Kosovë.
“Në lidhje me atë diskutim, Oliver Varhelji më tha se ka folur me Ana Brnabiq, ajo më tha se BE mendon se është shumë e rëndësishme që Serbia të përfaqësohet në Tiranë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp në Beograd.