Parashtresa e avokatiti britanik, Ben Emmerson, me të cilën zbuloi skandalin lidhur me një dëshmitar të rrejshëm kundër Hashim Thacit dhe Kadri Veselit, është larguar nga faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara.
Njësoj ka ndodhur edhe me parashtresën e avokatit Gregory Kehoe, që po ashtu ngriti të njejtën cështje. Nuk dihet pse është terhequr kjo shkresë nga faqja e Dhomave të Specializuara.
Ekipet mbrojtëse në Hagë kishin zbuluar se një dëshmitar i rrejshëm ka bërë përgjegjes Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme, si dhe personi që e kishte nxitur për t’i dhënë ato deklarata, del se kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.
Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.
“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator – i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.
“Më (redaktuar), (redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me inteligjencën serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në shkresën e avokatit Ben Emmerson.
Po ashtu, mbrojtja zbulon se si ky person, në një moment të gjatë intervistës, kishte përshkruar takimin e tij me zyrtarë të ndryshëm serbë në Beograd.
“Transkripti e bën të qartë se (redaktuar) ka një marrëdhënie me Shërbimin Sekret Serb. Në një moment të intervistës, ai informoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth planeve të tij për të udhëtuar në Beograd (redaktuar) ku do ta takonte burimin e tij (redaktuar), në mënyrë që të ishte në gjendje të siguronte më shumë përgjigje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
“(Redaktuar) ka pohuar se (redaktuar) (redaktuar) te Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe që (redaktuar) – me të cilin (redaktuar) ka një lidhje të fortë – ishte i vetëdijshëm për fabrikimin. Ai sqaroi që Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte nevojë për më shumë fakte që t’i mbante të burgosur të akuzuarit”, thuhet më tej në shkresë.
Ky dëshmitar kishte gënjyer se Thaçi dhe Veseli kishin paguar zyrtarët serbë për t’i marrë dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që kishin rrjedhur në publik.
Duke iu referuar intervistës së dëshmitarit të rrejshëm, mbrojtja thotë se ai kishte deklaruar të ketë pasur madje edhe një kontratë të shkruar, e cila do ta vërtetonte tregimin e tij, dhe se posedonte screenshots të mesazheve dhe thirrjeve ndërmjet tij dhe dikujt – emri i të cilit është i redaktuar në shkresë.
Mbrojtja e Veselit, për më tepër, përmend një rrjet të dëshmitarëve të dërguar në Gjykatën Speciale nga një individ.
“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”.
Mbrojtja e Veselit alarmon se ky skandal i zbuluar – ku një ndërmjetësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i lidhur me Shërbimin Sekret Serb, ka udhëzuar një dëshmitar që të gënjejë, në deklaratat e të cilit Prokuroria e Specializuar është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve, është katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së.
“Akuzat e bëra nga (redaktuar) kundër (redaktuar) në deklaratën e tij të dytë janë jashtëzakonisht serioze. Në zemër të rastit të Prokurorisë në dukje është një ndërmjetësues i besueshëm, i cili ka udhëzuar një dëshmitar të dalë me gënjeshtra, në të cilat Prokuroria është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve. Akuza të tilla janë potencialisht katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë, duke marrë parasysh shtrirjen e kontakteve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me (redaktuar). Çdo prokuror etik do të kishte kuptuar menjëherë pas marrjes së atij kontakti të dytë me (redaktuar) cilat mund të ishin implikimet për rastin e tij dhe do të kishte ndërmarrë menjëherë hapa për të hetuar shkallën e kontaminimit”, thuhet në shkresë.