Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se sot është ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë.
Bislimi u shpreh kështu pasi Parlamenti , Këshilli dhe Komisioni Evropian janë dakorduar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zv/kryeministri Bislimi deklaroi se ky dakordim i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedural para hyrjes në fuqi, do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian pa viza, më së largu më 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore.
“Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE. Falenderoj Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së, për përkushtimin gjatë presidencës së tyre në këtë proces. Gjithashtu dhe grupin parlamentar të social-demokratëve, të cilët mirëpritën dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, shkroi Bislimi.