Ambasadori gjerman për dënimin e Mustafës: Është një aktgjykim ndaj një individi, jo ndaj UÇK’së

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde Rohde, ka reaguar pas dënimit nga Gjykate Speciale në Hagë kundrejt Salih Mustafën, një dënim prej 26 vjetësh burg, duke thënë se kjo nuk paraqet një aktgjykim kundrejt UÇK’së.

Rohde, ka thënë se aktgjykim ndaj një individi, në këtë rast, ai i Salih Mustafës, për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, nuk është një aktgjykim ndaj UÇK-së.

“Gjykim i rëndësishëm sot që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së. Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat – pa mosndëshkim”, ka shkruar Rohde.

 

 

Gjykata Speciale ka dënuar dje me 26 vite burg Salih Mustafën për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

 

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.

 

Për dënimin e Mustafës ka reaguar edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.

“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here