A do të shtyhen zgjedhjet në veri?

Tri shpërthime kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në pjesën veriore të Kosovës, dy në Mitrovicën Veriore dhe një në Zubin Potok. Zyrat u demoluan, mirëpo për fat të mirë asnjë zyrtarë nuk u lëndua. Pas këtyre shpërthimeve dhe gjuajtjeve me armë, është mobilizuar policia, EULEX dhe KFOR, mirëpo deri më tani nuk është njoftuar për identifikimin e personave të dyshuar përveç gjetjes së provave në vendin e ngjarjes.

Situata në veri në prag të zgjedhjeve është tensionuar dhe siguria është e brishtë. Sot ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tha se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit duke rrezikuar jetën e njerëzve nuk është metodë e përshtatshme proteste.

Tutje, ai u shpreh se SHBA-të janë të shqetësuara që nuk janë krijuar ende kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të muajit në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar ende kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Nga Qeveria e Kosovës deklarojnë se do të presin vlerësimin e situatës në veri nga organet përgjegjëse të sigurisë për hapat e mëtejmë.

Shpërthimet i ka dënuar sot edhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ku persona të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.

Wigemark, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.

“EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wiemark

Mbrëmë kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se pas raportit të tërësishëm nga Policia e Kosovës për sigurinë e procesit zgjedhor në veri, do të dalin me një rekomandim, pasi, sipas tij zgjedhjet me zor nuk mund të mbahen, duke rrezikuar edhe jetërat e zyrtarëve të KQZ-së.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të martën të KQZ-së, Radoniqi, tha se qasja në zyrat e KQZ-së në veri është e vështirësuar. Sipas tij po të shkohej me tërë aparatin policor për mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë është në pyetje se çfarë zgjedhje po mbahen.

“Qasja në këto vende është shumë e vështirësuar. Me dasht me shku, siç tha zotëri Kurteshi, me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje jemi duke dashur të organizojmë. Mbetet me pa edhe një herë raportin e sigurisë të policisë, për të pasur një raport të tërësishëm për procesin zgjedhor, jo vetëm për sot. Atëherë na duhet ose të bëjmë ndonjë rekomandim, pasi me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala. Nuk mund të rrezikojmë askënd”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur datën 18 dhjetor ditë zgjedhore për kryertar të komunave veriore ndërsa një javë më pas, 25 dhjetor për asamble komunale.

KQZ sot ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet në veri të vendit. “Iniciativa Qytetare Mitrovica” 111, “Lëvizja Vetëvendosje” 115, “PDK” 112 dhe “Sladjana Pantovic” 114./IndeksOnline/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here